Drejtoria e Urbanizmit, Planifikimit dhe Mjedisit ka mbajtur sot një takim pune me përfaqësues të GIZ-it, me fokus të veçantë në zbatimin efektiv të planeve hapësinore dhe në mundësinë e hartimit të rregulloreve të reja për shfrytëzimin e tokës në territorin e komunës.
Në këtë takim morën pjesë Nënkryetarja e Komunës, znj. Arta Gashi, Drejtori i Urbanizmit, z. Visar Kuqi, si dhe zyrtarë komunalë nga Drejtoria e Urbanizmit, të cilët prezantuan prioritetet aktuale dhe sfidat në fushën e planifikimit hapësinor.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e bashkëpunimit institucional dhe koordinimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe menaxhimit racional të hapësirës. U diskutua gjithashtu për nevojën e përditësimit dhe harmonizimit të rregulloreve për shfrytëzimin e tokës, në mënyrë që të sigurohet transparencë, rregull dhe zhvillim i balancuar urban.
Përfaqësuesit e GIZ-it shprehën gatishmërinë për të mbështetur komunën në proceset teknike dhe profesionale, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e kornizës rregullative.