Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Kymete Bajraktari, priti sot në një takim pune përfaqësuesit e SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë: Remzije Krasniqi, Drejtore për Avokim, Ora Bytyçi, Drejtoreshë e Programit SOS Fshati, dhe Besnik Peci, Udhëheqës i Kujdesit Alternativ.
Takimi u fokusua në monitorimin e zbatimit të Planit për Zhvillimin e Strehimit Familjar në Komunë, si dhe në diskutimin e aktiviteteve të përbashkëta për rritjen e vetëdijes së qytetarëve mbi rëndësinë e strehimit familjar dhe krijimin e familjeve strehuese për fëmijët që kanë nevojë për kujdes dhe mbështetje.
Komuna e Suharekës mbetet e përkushtuar të forcojë bashkëpunimin me institucionet dhe organizatat partnere për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm të mbrojtjes së fëmijëve, duke promovuar kujdesin familjar si zgjidhjen më të mirë për çdo fëmijë që nuk mund të jetojë me familjen e tij biologjike.